Secondary Adv

Nga mikroçipat te siguria e të dhënave, çfarë përfshin marrëveshja paraprake SHBA–Kinë

Uashingtoni dhe Pekini kanë arritur një marrëveshje paraprake që pritet të firmoset së shpejti nga presidentët Donald Trump dhe Xi Jinping

Marrëveshja përfshin fusha strategjike si mikroçipat, sigurinë e të dhënave, tregtinë bujqësore dhe eksportet e mineraleve të rralla.

 

Kina shtyn kufizimet për mineralet e rralla

Pjesa më e rëndësishme e marrëveshjes lidhet me mineralet e rralla, të domosdoshme për industrinë e teknologjisë. Kina ka pranuar të shtyjë me një vit kontrollet mbi eksportet e këtyre lëndëve të para, duke zbutur tensionet tregtare me SHBA-në. Ky hap vjen pas kërcënimit të presidentit Trump për të vendosur tarifa 100% ndaj importeve kineze, si kundërpërgjigje ndaj kufizimeve që Pekini kishte vendosur mbi eksportet strategjike. Megjithë përpjekjet për të diversifikuar furnizimet, Shtetet e Bashkuara mbeten ende të varura nga eksportet kineze për përpunimin dhe rafinimin e materialeve kritike.

 

TikTok drejt kalimit në duart e investitorëve amerikanë

Një tjetër shtyllë e marrëveshjes është shitja e aktiviteteve amerikane të TikTok-ut te një konsorcium investitorësh amerikanë, ku kompania mëmë kineze, ByteDance, do të mbajë një kuotë prej 19,9%. Platforma do të vijojë të përdorë algoritmin origjinal nën licencë, ndërsa pjesa amerikane do të operojë si një entitet i pavarur. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është ruajtja e sigurisë së të dhënave të përdoruesve amerikanë dhe shmangia e ndalimit të aplikacionit, një çështje e ndjeshme në Kongresin amerikan.

 

Rihapja e tregut kinez për produktet bujqësore amerikane

Pekini ka rënë dakord të rihapë importet e sojës amerikane, një nga produktet kyçe për fermerët në SHBA. Në vitin 2024, Kina kishte blerë 22 milionë ton sojë amerikane, me vlerë mbi 12,5 miliardë dollarë, përpara se lufta tregtare të ndalonte furnizimet. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, konfirmoi se “Kina nuk e ka plotësuar ende nevojën për importet e sojës për muajt e ardhshëm” dhe se pritet rifillimi i blerjeve.

 

Marrëveshje tregtare me Azinë Juglindore

Paralelisht, SHBA ka nënshkruar disa marrëveshje me vendet e Azisë Juglindore – Tajlandën, Kamboxhian, Malajzinë dhe Vietnamin – që parashikojnë uljen e tarifave doganore dhe nxitjen e tregtisë dypalëshe. Me Tajlandën dhe Malajzinë marrëveshjet përqendrohen në eksportin e lëndëve të para kritike, ndërsa me Vietnamin dhe Kamboxhian synohet krijimi i tregjeve të reja për produktet amerikane.

 

“Jemi të kënaqur që po ndërtojmë partneritete të forta në energji, teknologji, inteligjencë artificiale dhe minerale kritike,” deklaroi Trump pas nënshkrimit të marrëveshjeve rajonale.

 

Burimi: La Repubblica/ Shqiptarja


Më të lexuarat